Macaroons janë ëmbëlsirat më të famshme të Instagramit, që të bëjnë të dashurohesh me to që në pamje. I kemi parë shpesh në postimet e blogereve të njohura dhe përveçëse sigurojnë realizimin e një fotoje perfekte (që në ditët e sotme është diçka jo pak e rëndësishme), ato janë edhe shumë të shijshme. Në këtë ditë të diele nuk do të ishte keq të surprizonit familjen tuaj duke përgatitur macaroons.

Përgatitja e tyre është më e thjeshtë nga ç'mund ta mendoni. Për përgatitjen e macaroons ju duhen 6 kokrra vezë, 400 gramë sheqer pluhur, 250 gramë pudër bajamesh, 3-4 pika ngjyrues ushqimor dhe pak kripë.

Ndani të bardhën nga e verdha e vezës, pasi do t'ju duhen vetëm të bardhat e vezëve. Është mirë që vezët t'i keni ndarë të paktën një ditë më parë dhe t'i keni ruajtur në frigorifer. Të bardhat e vezëve me pak kripë rrihini në mikser derisa të bëhen shkumë. Shtoni sheqerin pluhur vazhdimisht dhe vazhdoni t'i rrihni. Masës i shtojmë edhe pudrën e bajameve dhe e përziejmë derisa të formohet një masë e njëtrajtshme. Shtoni edhe ngjyruesin, të cilin mund ta zgjidhni në ngjyrën që dëshironi. Masën e formuar hidheni në një xhep pastiçerie dhe në një letër kuzhine të shtruar në tepsi formoni forma të rrumbullakëta. Lërini të pushojnë 20-40 minuta. Ato janë gati për t'u pjekur nëse brumi nuk ngjit. Futini në furrë të ngrohur më parë në 150 gradë, për 15-18 minuta.

Pasi janë pjekur i lini të ftohen, ndërkohë përgatisni kremin mbushës duke shkrirë në banjo mari çokollatën me panën (mund të zgjidhni mbushjen që dëshironi). Me anë të xhepit të pastiçerisë mbushni macaroons-at. Rekomandohet që t'i lini një natë në frigorifer në një enë qelqi dhe t'i konsumoni të nesërmen. Ju bëftë mirë!


