
Shi fëmijësh… Kështu e quajnë këtë periudhë pranvere mediat ndërkombëtare, meqenëse përkon me një numër të konsiderueshëm lindjesh në botë. Shumë personazhe të njohur po shijojnë javët e fundit të shtatzënisë dhe, pavarësisht nëse presin fëmijë të parë ose të dytë (apo edhe të tretë), emocionet janë të reja, të papërjetuara më parë dhe të papërshkrueshme.
Kjo ndjesi universale i prek të gjitha nënat në botë, pavarësisht vendit ku jetojnë. Kështu që edhe nënat e reja shqiptare nuk bëjnë përjashtim. Por bëjnë përjashtim, ndoshta, për mënyrën se si e presin beben e tyre që do të vijë në jetë së shpejti.
Disa nga vajzat e njohura shqiptare janë duke jetuar pritjen e ëmbël me shumë emocion. Jo vetëm ato që presin të vijë ne jetë fëmija i tyre i parë, por edhe ato që janë tashmë nëna dhe presin ta gëzojnë sërish këtë status.
Në një kohë kur mediat dhe portalet vijojnë të aludojnë për të tjera vajza që na nxisin dyshimet për shatzëninë, ato që aktualisht janë në javët e fundit, kanë gjetur mënyra nga më të ndryshmet për të kaluar ditët e fundit të pritjes së ëmbël.
Emina Çunmulaj është në javët e fundit të pritjes së ëmbël. Ndoshta ndër të vetmet personazhe të njohur që ka ndarë virtualisht pothuaj çdo detaj nga shtatzënia. Madje, këtë e ka bërë edhe me vajzën e saj të parë, Ella Faria. Pak javë më parë, Emina festoi 2-vjetorin e vajzës në një festë përrallore dhe bashkë me të siguroi edhe disa foto me barkun e rrumbullakosur. Por edhe tani që i kanë mbetur vetëm pak ditë, fotot janë detaji që nuk e lë mënjanë për asnjë arsye. Duket që është modele…
Blerina Braka është në javët e fundit të pritjes së ëmbël. Shumë shpejt, Blerina do të bëhet nëna e një djali, të cilit ia ka zgjedhur edhe emrin. Edeil pritet të vijë në jetë shumë shpejt. Blerina i ka të gjitha gati. Bashkë me babay shower-in e organizuar disa ditë më parë në një kopsht ëndrrash, këngëtarja realizoi edhe këngën që i kushtoi të birit para lindjes, “Pritja e ëmbël”.
Adelina Tahiri, gjithashtu në pritje të ëmbël. Kush më shumë se ajo po e shijon këtë periudhë dhe kush më shumë se bashkëshorti i saj po e llaston me të gjitha ‘kërkesat’ e shtatzënisë? E gjithë kjo periudhë, edhe për Adelinën ka qenë shumë e veçantë. Këtë na ka lënë të gjithëve ta kuptojmë nga fotot që ka ndarë virtualisht. Dhurata, lule, festa, shopping, mesazhe të panumërta në adresë të këngëtares e kanë bërë ta përjetojë edhe më shumë emocionin e pritjes së parë. Sot, Adelina postoi edhe një moment tjetër nga shtatzënia, ndërsa ajo dhe partneri mbajnë duart në barkun që tashmë është rritur dhe po u afrohet ditëve të fundit.

Xhensila Myrtezaj i ka më të pakta fotot me barkun e rrumbullakosur, por edhe pse del më shumë portret, nuri i shtatzënisë është i dukshëm edhe tek ajo. Gjithçka po e shijon për herë të parë edhe ajo, me gjithë frikërat e vogla që Besi nuk ua kursen miqve virtualë. Emocioni i ëmbël, i mezipritur, por edhe i panjohur, nuk e ka penguar Xhensilën të jetë gjithandej gjatë kësaj periudhe. Në koncerte, në udhëtime, në festa, madje edhe duke bërë sport në shkallët elektrike. Si sot…

Erisa Xhixho është në pritje të një vajze që do të lindë shumë shpejt. E mësuar me fluksin e punës, por edhe me shtatzëninë, nëna e një djali mund të jetë gjithandej edhe në këto ditë të fundit. Madje, lajmeve të portaleve e mediave di edhe t’u kthejë përgjigje: “Nuk jam keq” shkruan ajo pas lajmit “...aktive edhe në javët e fundit të shtatzënisë”. Disa ditë më parë, Erisa u fotografua pranë bashkisë së Tiranës në mbështetje të aktorëve të Teatrit Kombëtar.
Greis Petroviç, modelja e njohur dhe themeluesja e agjencisë së modës ‘Greis Models’, lajmin e bukur që shumë shpejt do të bëhet nënë, e ka ndarë në fund të vitit të kaluar me të gjithë miqtë nga Instagrami i saj. Pas plot 7-vjetësh bashkëjetesë me partnerin e saj, Ilirin, Greis po jeton pritjen e ëmbël në kohën ideale: “Nuk e kam dashur më parë, por tani ishte koha e duhur”, – tha ajo për “Rudina” pak kohë më parë kur mësoi lajmin e mezipritur. Aktualisht, Greis po shijon javët e fundit duke u kujdesur për veten dhe duke ndarë me miqtë foto nga vende të ndryshme.