
Shpeshherë në programin “Dua të të bëj të lumtur” kemi parë të trajtohen histori të forta, në të cilat kanë qenë të ftuar surprizë edhe mjaft personazhe publike. Ata kanë dhënë mbështetje morale dhe ekonomike, por shpesh herë janë bërë edhe vetë pjesë e surprizave të programit.
Historia e fundit që u trajtua në programin “Dua të të bëj të lumtur” ishte historia e moderatorit Turjan Hyska. Turin e kemi parë gjithmonë në ekran si një personazh të fortë e tepër karizmatik, por asnjëherë ai nuk e kishte rrëfyer jetën e tij.

Kur kishte qenë adoleshent, babai i Turit kishte ndërruar jetë dhe atij i ishte dashur që të kujdesej për mamanë dhe vëllanë e tij më të vogël.
Për ta falenderuar Turin për çdo gjë që ai kishte bërë për familjen, mamaja e tij kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur”. Gjatë bisedës që u zhvillua midis Turit dhe Arbana Osmanit, Turi u shpreh se ishte hera e parë në televizion që ai nuk dinte se kush e kishte ftuar dhe se çfarë e priste.

Në momentin që u lexua letra që mamaja i kishte shkruar Turit, ai u përlot. Më pas Turi rrëfeu edhe një pjesë të jetës së tij private që nuk e kishte treguar kurrë më parë. Ai tha që: “Nuk kam dashur kurrë që jeta ime private të shfaqet në ekran, por dua të them që lufta për të jetuar mirë i bën ata që ndodhen sipër të jenë krenarë për ne. Depresioni dhe rënia nuk i shërben askujt, madje i lëndon më shumë ata që janë larguar. Për mua s'ka gjë më të shtrenjtë se familja”.
Përveç mamasë, Turin e surprizoi edhe vëllai i tij, Elio. Ai e falenderoi Turin që kishte shërbyer si model për të, që ndihmuar dhe i kishte qëndruar pranë gjatë gjithë kësaj kohe.

E ftuar surprizë në programin për Turjan Hyskën ishte edhe mësuesja e kimisë që ai kishte pasur kujdestare në gjimnaz. Kur Turi kishte qenë në gjimnaz shokët e tij më të ngushtë i kishin bërë një lojë. Ata kishin telefonuar mësuesen e kimisë dhe ai pa ditur se me kë po fliste kishte thënë një fjalë turpi.
Mësuesja e kishte kuptuar se kush kishte qenë dhe i kishte kërkuar të tregonte se cili prej shokëve ia kishte punuar atë rreng. Pas kësaj në mbledhjen me prindër Turi kishte shkuar gjithë frikë, por mësuesja nuk i kishte treguar gjë babait të tij. I kishte thënë vetëm që ishte i zoti, por i paedukuar.

Në vit të katërt Turi i kishte thënë mësueses se e 'dashuronte'. Madje ai tregoi që kishte shkruar një këngë për të, vetëm se nuk i kishte vendosur emrin e saj.
Surpriza e fundit për Turjan Hyskën në programin “Dua të të bëj të lumtur” ishte bashkëshortja e tij, Orinda Huta. Ajo i kishte shkruar një letër në të cilën kishte përmendur 10 gjëra të cilat Orinda nuk pëlqente tek ai.

Pavarësisht gjërave që nuk pëlqente ajo iu drejtua Turit me këto fjalë: “Unë të dua shumë! E di që bashkë kemi vallëzuar dhe do të vallëzojmë gjatë gjithë jetës, sepse unë dua të vallëzoj vetëm me ty”.

Në momentin kur të gjithë menduan se surprizat kishin mbaruar, Arbana Osmani kishte rezervuar dhe një surprizë të fundit për Turin. Ajo kishte ftuar këngëtaren Aurela Gaçe të cilën ai e vlerëson shumë, madje është shprehur se ndihet krenar që jeton në epokën e Aurela Gaçes.

“Kur mua më erdhi ftesa për të të bërë ty të lumtur vetëm për një moment, unë e pranova me gjithë dëshirë sepse doja të të ktheja ato emocione dhe ndjenja që më ke dhënë kur ke shkruar dhe folur për mua”,- ishin fjalët me të cilat Aurela iu drejtua Turit .